Pronari i kompanisë AIM, Arben Maloku, në mëngjesin e të shtunës, është arrestuar nga policia në Klinë.
Arben Maloku, para një muaji kishte filluar ndërtimin e një shtëpie, në pronë të tij, mirëpo inspektoriati i punës në Klinë e kishte urdhëruar t’i ndalojë punimet.
E Maloku nuk kishte kundërshtuar. Madje ai kishtë paguar edhe gjobë në vlerë prej një mijë euro.
Maloku, në një bisedë për FaktePlus, ka treguar që i kishte ndjekur të gjitha udhëzimet e Inspektoriatit mirëpo pavarësisht se i ka ndërprerë punimet, ai është arrestuar.
“Kanë ardhë të m’i ndalojnë punimet, i kam ndaluar. Më kanë vënë gjobë një mijë euro, e kam paguar. Dje inspektorati erdhi te shtëpia por sot policia më arrestoi për shkak të ndërtimit të shtëpisë”, ka thënë Maloku për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Madje, Maloku ka treguar që policia e kanë dërguar për kontrollë mjekësore para se ta dërgojnë në mbajtje, pasi ai ka probleme shëndetësore.
“Në fillim më kanë dërguar në ambulantë për kontrollë, pastaj në mbajtje për 48 orë, pasi që jam me terapi shkaku i disa problemeve shëndetësore”, ka thënë Maloku.
Agjencia ka kontaktuar me stacionin policor në Klinë, mirëpo ata nuk kanë pranuar të japin detaje.
”Nuk mundemi më dhënë informata. Vetëm se mund të themi se ai është arrestuar sot në mëngjes”, kanë thënë në policinë e Klinës.
FaktePlus ka kontaktuar me vëllaun e Arben Malokut, Artonin.
Ai ka thënë se arrestimi i të Arben Malokut është bërë qëllimisht.
“Arrestimi i Arbenit është bërë me qëllim, pasi që në atë pjesë të Klinës kanë ndërtuar shtëpi edhe shumë persona të tjerë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, por nuk janë arrestuar.”, ka thënë vëllau i Arben Malokut për FaktePlus.