Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia.
E një rast i tillë është zbuluar sot në sheshin ‘Mujë Krasniqi’ në Klinë, ku njësitet policore kanë ndalur për kontroll një 24-vjeçar, tek i cili kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I riu është prangosur menjëherë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.