Tre prej gjashtë personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli.
Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan, shkruan Top Channel.
Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.
Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.
Top Channel mëson se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.
Në këtë seancë një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar, do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.
Pas publikimit të lajmit ekskluziv nga Top Channel ka reaguar edhe Policia e Shtetit që thotë:“Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.”