Gjatë ditës së djeshme u raportua për një rast mashtrimi në Njësinë e Patentë Shoferit në Prishtinë, ku Komisioni Monitorues ka hasur në një person i cili ka qenë i pajisur me kufje dhe kamerë. Kandidati dyshohet se komunikoi me pronarin e autoshkollës në mënyrë që ta kalonte provimin teorik për kategorinë C,
Lidhur me rastin kanë dhënë detaje edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se kandidati dhe pronari i autoshkollës janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar dyshuari mashkull kosovar për shkak se derisa ishte në testimin për patentë shofer tek i njëjti janë gjetur një kamerë trupi, një kufje e vendosur në vesh dhe një pajisje shtesë përmes të cilës i dyshuari ka komunikuar me pronarin e një auto-shkolle në mënyrë që ta kalonte provimin teorik për patentë shofer. Lidhur me rastin është arrestuar edhe pronari i auto-shkollës që është përfshirë në rast. Me vendim të prokurorit dy të arrestuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndër të tjera, Policia njofton se është identifikuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se në këmbim të parave i ka lëshuar të dyshuarit vërtetimin për aftësim të kandidatit pa qenë prezent fare.
“Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar edhe një i dyshuar tjetër që për momentin ndodhet në arrati i cili dyshohet se në këmbim të parave i ka lëshuar të dyshuarit të parë vërtetimin për aftësim të kandidatit pa qenë prezent fare”, njofton Policia.