KF Dukagjini është një nga klubet e elitës së futbollit tonë që ende nuk është treguar “i gjallë”, mirëpo ky klub është duke punuar në heshtje e qetësi.
Klubi nga Klina nuk ka njoftuar ende zyrtarisht për ndonjë ndryshim, teksa njoftimi i vetëm zyrtar është ai i datës 2 korrik, ku u bë e ditur se klubi do t’i rikthehet stërvitjeve më 7 korrik.
Për sezonin e tretë radhazi në krye të shtabit teknik te Dukagjini do të jetë Armend Dallku.
Trajneri vushtrrias në një bisedë me “Gazetën Express” ka thënë se situata në klub është stabile dhe se po punohet në të gjitha drejtimet për t’u ngritur edhe më lartë.
“Gjendja është stabile dhe e qetë. Po punohet në të gjitha drejtimet që klubi të ngritët edhe më lartë në nivel profesional”, tha fillimisht ai.
Tutje, Dallku tha se prioritet i tij dhe i klubit ka qenë rinovimi i kontratave me futbollistët që ishin në sezonin e fundit. Por, ai zbuloi se klubi ka firmosur edhe me pesë futbollistë të tjerë, derisa foli edhe për ata që i kanë refuzuar.
“Është normale që flitet dhe tentohet që çdo klub të përforcohet. Mirëpo, prioritet i imi dhe i klubit ka qenë firmosja me lojtarët që i kemi në ekip dhe që kemi vendosë të zgjasim bashkëpunimi, e pastaj të tentohet për përforcime. Por, edhe ne i kemi bërë tashmë lëvizjet tona. Deri në këto momente që po flasim, kemi firmosur me pesë futbollistë, të cilët së shpejti do të prezantohen, pasi të fillojmë edhe me stërvitjet. Ne si staf dhe si klub nuk duam që të jemi prezent çdo ditë nëpër faqe të gazetave për çfarëdo arsye. Synimi ynë është të punojmë dhe në qetësi të marrim ata lojtarë që i dëshirojmë. Normalisht është e vështirë ndonjëherë t’i bindesh futbollistët që të na bashkohen, por koha do të tregon se a kishin të drejtë apo jo ata që në njëfarë forme kanë hezituar të na bashkëngjiten, duke e pas parasysh që KF Dukagjini i ka kushtet më të mira në Kosovë sa i përket infrastrukturës dhe më shumë mundësi për t’u përmirësuar ende, duke pas parasysh hapësirën që ka”, tha Dallku.
Trajneri 39-vjeçar në fund foli edhe për synimet e “Hithave”, ku tha se synohet që të bëhet një ekip konkurrues.
“Synimet tona janë që të kemi një ekip konkurrues, që të ballafaqohet si i barabartë me të gjithë tjerët në Superligë. Tashmë, edhe ne si klub e kemi një përvojë në Superligë dhe e dimë se çka duhet bërë që të mos na përsëritet viti i kaluar, nga i cili kemi nxjerrë shumë mësime dhe po shpresojmë që të kemi një fillim shumë pozitiv të kampionatit”, deklaroi trajneri, Armend Dallku.
Dukagjini në sezonin 2021/22 luftoi për mbijetesë, teksa në fund u pozicionua i shtati me 50 pikë.