Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA) thotë se deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati dhe ish-dekani i Filozofikut, Bujar Dugolli janë plagjiatorë të verifikuar ndërkombëtarisht.
Kjo organizatë ka deklaruar se ka dorëzuar prova përfundimtare në Këshillin e Etikës së UP-së sot mbi plagjiaturën e dy profesorëve Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli.
Sipas ORCA-s revista ku Kastrati e Dugolli kanë publikuar punimet e tyre kanë komunikuar me organizatën dhe të njëjtit kanë identifikuar elementet e plagjiaturës dhe kanë hequr punimet e tyre nga revista.
“Sot, ORCA ka dorëzuar në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e denoncuar më 1 tetor 2021 të dy profesorëve të Fakultetit filozofik Ardian Kastratit dhe Buajr Dugollit. Revista ku kishin publikuar dy profesorët, pas një komunikimi zyrtar me ORCA ka identifikuar elementet e plagjiaturës së punimit dhe ka vendosur ta heq punimin nga revista përfundimisht”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.