APOSTOLOVA TREGON SE KUR MUND T’I HIQEN VIZAT KOSOVËS

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një opinion të shkruar ekskluzivisht për gazetën “Zërin” për Ditën e Evropës 2019, e cila festohen nesër në vend, mes të tjerash ka thënë se duan që njerëzit e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më parë që të jetë e mundur.

Sipas saj, është e rëndësishme të dihet se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar që vizat të hiqen për Kosovën.

Megjithatë, sipas Apostolovës, vendimi përfundimtar duhet të merret nga një prej organeve vendimmarrëse të BE-së, Këshilli i BE-së.

“Marrja e vendimeve në BE mund të marrë kohë të gjatë dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojë edhe ca për t’i bindur vendet anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave do të jetë i mirë për të gjithë. Duke pasur parasysh zgjedhjet për Parlamentin Evropian më vonë këtë muaj nevojitet ende kohë që këto përpjekje të japin fryte”, ka shkruar ndër të tjera Apostolova.