APOLOGJI PËR POPULLIN TIM
Populli im nuk i lodh shumë
as punëtorët e komunales,
vendos koshin më të vogël të plehrave
para derës.
Populli im i ka djemtë nën tokë,
disa në përmendore
e në shtigjet e agimeve të kaltra
populli im ka ca djem të tjerë.
Populli im i lut mjekët
të mos ia rëndojnë
me ilaçe të shtrenjta recetën
e farmacistin e pyet sërish
pa cilin bar nuk bën sonte kurrqysh hiç.
Populli im rri gatitu
para dyerve të zyrave të shtetit,
troket me drojë dhe mban veshin mirë
a po i thotë kush hyr.
Populli im i lë të tjerët
në plazhet e veta të verës,
vendos njërën këmbë mbi dallgë
e tjetrën mbi qafën e rrjepur të gomones
me qen e mace të mërzitura,
pa busull në dorë deteve të mugëta,
në valle ndër valë me ikjen e vet
që ia kanë liberalizuar kaherë.
DHIMBJE KRONIKE
Ty e mua më së shumti na dhemb
aty ku të kemi ra vetë,
në pllajat e tua të shpirtit,
sa ishe në unazën e gurit të shpuar,
në një kapërcyell pak pa dalë në diell.
FARSË
Brenda një akti të vetëm
luajnë rolin e keq të gjithë,
gjysma e parë në arenë,
gjysma e dytë në publik,
pastaj
gjysma e parë në publik,
gjysma e dytë në arenë,
por njësoj
zgërdhihen sërish
të gjithë përnjëherë,
gjysma e dytë në publik,
gjysma e parë në arenë.
POST FESTUM
(ose pas mbarimit të farsës për 28 Nëntorin)
Dikush
palat e harlisura
mirë ia shtrydhi mbi çanak atë ditë, mirë.
Dikush
nga qëndismat e plagëve nxori edhe pak gjak,
tha borxh ende i kam Flamur Nëntorit tonë, borxh.
HIGJIENA E SYVE NË KOHË LIRIE
Sy i ke sytë
vetëm nëse sheh përtej hipokrizisë.
Dy mijë vjet kjo fjalë e nuk u plak.