Nga data 16 prill, Ministria e Bujqësisë në Kosovë ka hapur programin e aplikimit për subvencione. Indeksonline ka pyetur ministrinë e Pecit për numrin e aplikimeve në 10 ditët e para. Numri i aplikuesve është i madh, ndërsa kultura që ka më shumë aplikime është gruri. Plot 4800 fermerë kanë aplikuar deri sot, nga ta 2390 aplikues janë të kulturës së grurit.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me dt. 26 prill të këtij viti ka hapur periudhën për aplikim për pagesa direkte/subvencione për fermerët vendor të cilët do të mbështeten për disa kultura bujqësore dhe aktivitete blegtorale përmes Programit për Pagesa Direkte 2022.
Deri në momentin që po flasim, pasi afati për aplikim vazhdon të jetë i hapur për 30 ditë kalendarike, për mbështetje në kuadër të këtij programi kanë aplikuar gjithsej 4800 fermerë. Numri më i madh i aplikuesve është tek kultura e grurit me 2390 aplikues deri më tani, duke vazhduar me 2133 aplikues për kulturën e misrit, 723 aplikues të cilët mbarështojnë lopë qumështore, 309 aplikues për nënsektorin e bletarisë, etj.
Theksojmë se interesimi për të aplikuar në kuadër të Programit për Pagesa Direkte/Subvencione 2022 është i madh në të gjithë sektorët dhe se i gjithë procesi është duke u zhvilluar normalisht e pa asnjë problem” thuhet në përgjigje e Ministrisë së Bujqësisë, dhënë për Indeksonline.