Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Sokol Bashota dhe Enver Berisha.
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, ku ish-kryetari i Klinës Sokol Bashota dhe ish-nënkryetari Enver Berisha janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe nga 1 mijë e 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të akuzuarit S.B. dhe E.B., secili veç e veç, janë shpallur fajtorë për shkak të veprave penale ‘Mosraportimi’ ose ‘Raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare’, nga Neni 437, paragrafi 2 i KPRK dhe ndaj secilit prej të akuzuarve është shqiptuar dënimi me burgim, në kohëzgjatje prej nga 6 (gjashtë) muajve, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen nëse të akuzuarit në afatin prej 1 (një) viti nuk kryejnë vepra të tjera penale. Gjithashtu, ndaj të akuzuarve në fjalë, janë shqiptuar edhe dënime me gjobë, në shumë prej nga 1.200.00 eurove, të cilat dënime të akuzuarit do t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”, thuhet në njoftimin nga Gjykata e Apelit, transmeton Zeri.info.
Në njoftim gjithashtu thuhet se kolegji i gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë për shkak të veprave penale të lartcekura, ndërsa aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore