Gjykata e Apelit ka caktuar për 8 prill 2024 seancën e kolegjit në rastin ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit.
“Caktohet seanca e kolegjit të kësaj gjykate, për të vendosur lidhur me ankesën e ushtruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës…”, thuhet në urdhëresën për caktimin e seancës së kolegjit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dy ditë më parë, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se kanë kaluar mbi 10 muaj prej që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues në këtë rast, si dhe mbi 6 muaj që kur Prokuroria ka parashtruar ankesë lidhur me këtë aktgjykim në Apel.
Lidhur me këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, prokurori special Dren Paca, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Kjo lëndë më 4 shtator 2023 ishte pranuar nga Gjykata e Apelit, kurse më 8 shtator ishte caktuar kolegji i Apelit.
Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.