APEL PËR KUJDES TË SHTUAR KUNDËR ZJARRVËNIEVE

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga komandanti i Policisë, Rajonit në Klinë, z. Ragip Bytyqi, drejtori i Inspektoratit, z. Faruk Smajli si dhe drejtori i Shërbimeve Publike, z. Qendrim Millaku kanë pritur në takim shefin e njësisë së Zjarrfikësve në Klinë, z. Elmi Zenunaj.

Në takim u diskutua lidhur me gjendjen e zjarrvënieve në territorin e Komunës së Klinës, me ç ‘rast u kërkua edhe bashkëpunim dhe koordinim i aktiviteteve të përbashkëta në parandalimin e zjarreve si dhe qytetarët të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në këto situata.

Kryetari Elezaj ka apeluar për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar në lidhje me zjarret sidomos ato të qëllimshmet, pasi një i tillë mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme në këto temperaturat e larta që po mbizotërojnë në vend.

Zjarrvëniet e qëllimshme dënohen me gjobë duke filluar nga 500€ dhe Inspektorët do të jenë në terren për mbikëqyrje në bashkëpunim me policinë e Kosovës.