Gjashtë muaj pas meçit që e tronditi botën e boksit, Anthony Joshua i është hakmarrë Andy Ruiz Jr, duke i rifituar titujt e tij të kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda në boks – WBO, WBA edhe IBF.
Më 1 qershor, Andy Ruiz Jr ia rrëmbeu Anthony Joshuas tre titujt e tij të kampionit botëror në boks, mirëpo tani britaniku i ka rifituar këta titujt, duke e mposhtur Ruizin me vendim unanim të gjyqtarëve, raporton Gazeta Express.
Në rundin e parë, Joshua ishte dominues, duke ia shkaktuar një çarje mbi syrin e mjatë Ruizit me një goditje të fortë.
Joshua e vazhdoi meçin me të njëjtën rrjedhë edhe gjatë rundit të dytë, duke e goditur disa herë fuqishëm Ruizin, i cili gjithashtu arriti t’ia shkaktojë Joshuas një të çarë mbi sy gjatë rundit të dytë.
Edhe rundi i tretë kaloi me pothuajse të njëjtën rrjedhë, ndërsa goditje më të fuqishme ndodhën në rundin e katërt, kur Joshua u tregua më i ashpër, ndërsa edhe Ruizi ia ktheu me të njëjtën monedhë në momentet e fundit.
Joshua ishte më i mirë në rundet vijuese, mirëpo u zemërua kur Ruiz e goditi pasi ra zilja për herë të dytë në dy runde radhazi. Në rundin e tetë, Ruizi arriti t’ia japë disa grushte më të fuqishme Joshuas, i cili dukej ende i zemëruar.
Rundi i tetë dhe i nëntë i takuan Ruizit, mirëpo Joshua u kthye më fuqishëm sërish në rundin e dhjetë, duke lëvizur më shumë në ring dhe duke mos e lejuar Ruizin ta grushtojë atë, por duke i përdorur duart e tij të gjata si epërsi për ta goditur rivalin.
Në rundin e 11-të, Joshua ishte sërish më i miri dhe u bë e qartë se Ruizi kishte nevojë për nokaut për ta fituar këtë rimeç, pasi që Joshua kishte grumbulluar më shumë pikë gjatë 11 rundeve paraprake.
Mirëpo, Ruizi nuk arriti ta bëjë këtë në rundin e 12-të dhe Joshua e mori fitoren me vendim unanim nga gjyqtarët. /Gazeta Express/