Në një anketim me qytetar, Gazeta Metro mëson se shumicës nuk ju pëlqen detyrimi i obliguar ushtarak i propozuar nga Qeveria Kurti.
Ne kemi përzgjedhur disa prej të anketuarve, opinioni i të cilëve tregon nëse ata e shohin si të arsyeshme obligimin për të qenë pjesë e shërbimit për tre muaj ashtu siç është prezantuar sot si ide nga Kurti.
Në fjalimin e Kurtit në seancën plenare që është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, thuhet se shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm me kohëzgjatje prej 3 muajsh, gjë për të cilën nuk ka bërë të ditura detaje rreth moshës apo edhe ndarjeve gjinore, të cilat i kanë komentuar edhe qytetarët e Kosovës të cilët ndër tjerash kanë zbuluar nëse iu pëlqen të shkojnë detyrimisht në ushtri.
Ndër mendimet se një ide e tillë nuk do të ishte e arsyeshme nëse do të ishte obligative, është edhe i qytetarit nga Prishtina, D.H., i cili mendon se do të ishte më mirë që shërbimi ushtarak t’iu bashkëngjiteshin ata të cilët e mendojnë veten si ushtarakë në të ardhmen, për të cilët D.H. beson që nuk ka pak të tillë.
“Unë mendoj që shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk duhet të jetë obligativ. Ne sot jetojmë në një shtet, që thirret në demokraci. Personalisht mendoj qe kjo ndërlidhet edhe me preferenca personale të qytetarëve. Nëse dikush e ka në mendje, apo që e mendon veten si ushtar në të ardhmen, mund të aplikojë dhe të pranohet si i tillë me rastin e konkurseve për rekrutues të rinjë, sikurse tash së fundmi që ishte një i tillë. Fundja nuk besoj se ka pak të tillë që janë të interesuar, andaj mendoj që obligativja në këtë rast, nuk është e domosdoshme. Por duhet të respektohet zgjedhja e qytetarit – zgjedhja personale”, ka thënë D.H., qytetar nga Prishtina.
Ndërkaq, një tjetër qytetar nga Prizreni, me inicialet D.G., tha se e ka mirëpritur një ide të tillë, mirëpo ajo se çfarë duhet të dihet është se nga cila moshë do të duhej bashkëngjitja në këtë shërbim ushtarak, si dhe a do të bëhet shërbimi me pagesë sin ë çdo shtet tjetër, apo jo.
”Mirë është t’i shërbesh vendit tend. E sidomos kur ushtria bëhet obligative. Por, ajo se çfarë më intereson është se, nga cila moshë do të fillon, a do të bëhet shërbimi me pagesë si në çdo shtet tjetër, apo jo, kjo mbetet të shihet”, ka përfunduar D.G., qytetar nga Prizreni.
Edhe D.K., nga Kastrioti e ka parë si të arsyeshme se akademia ushtarake të mos jetë e detyrueshme, duke shtuar se nëse vetëm do të realizohet kjo ide, të rinjtë do të fitojnë disiplinë dhe rregull, si dhe do të jenë të gatshëm që me përvojën e tyre t’i shërbejnë shtetit në çfarëdo nevoje.
“Edhe pse është e nevojshme pasi që mundet që të rinjtë sidomos të fitojnë disiplinë dhe rregull, përveç tjerash janë të gatshëm për çfarëdo nevoje që mundet të ketë vendi, pasi që kanë sado pak përvojë. Tre muaj nuk është shumë edhe po të jetë obligative, mirëpo më shumë e shoh të arsyeshme të mos jetë e detyrueshme, por vetëm për ata të cilët e shohin apo e mendojnë vetën në akademi ushtarake në të ardhmen”, ka thënë D.K., nga Kastrioti.
Nga ana tjetër, F.RR,, qytetare nga Prishtina ka thënë se një gjë e tillë do të ishte mirë të bëhej, pa që Kosova ka treguar se ka kuadro të forta në raste të fatkeqësive natyrore, si ajo e tërmetit në Shqipëri, mirëpo F.RR, mendon se nëse një ide e tillë do të realizohej, do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor, duke pasur më shumë gra të involvuara.
“Konsideroj që i shërben një aspekti shumë krucial të shtetit, në vija të trasha kontribuon fuqishëm në krijimin e identitetit social dhe nacional. Rrjedhimisht do ta forcojë ushtrinë e shtetit për të qenë të gatshëm me kontribu në raste të nevojshme. Ne jemi dëshmitarë të rasteve të fundit të fatkeqësive natyrore edhe sa shumë ka kontribu ushtria e Kosovës, për mendimin tim. Dhe duhet me qenë gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor, të ketë edhe vajza/gra më shumë të involvuara në akademi ushtarake”, ka thënë F.RR., nga Prishtina.
Kujtojmë se seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë ka nisur sot qysh në orën 11:00, ndërsa pas rreth 7 orëve është votuar mandatari për kryeministër, Albin Kurti me gjithsej 66 vota pro. /