Çmimi i energjisë në Mbretërinë e Bashkuar ka thyer çdo rekord të deritanishëm.
Rregullatori vendas i energjisë njoftoi për shkak të kostove në rritje të gazit natyror, çmimi i energjisë në Britani po rritet me 54%, çka pritet të rëndojë ndjeshëm në xhepat e miliona konsumatorë, që përballen sakaq me shtrenjtimin edhe të mallrave e shërbimeve të tjera.
Zyra e Tregjeve të Gazit dhe Energjisë Elektrike, e njohur si “Ofgem”, sqaroi se kapërcimi i fortë i çmimit do të ndodhë në shumicën e vendit duke nisur nga muaji prill, transmeton tch.
Nga kjo lëvizje llogaritet të preken të paktën 22 milionë familje. Sekretari britanik i thesarit, Rishi Sunak, tha se qeveria po përgatit një paketë masash për të ndihmuar njerëzit më të prekur nga kjo situatë, përfshirë ata me të ardhura më të ulëta në mënyrë që të përballen me rritjen e madhe të faturave të gazit.
“Po nuk ndërhyri ekzekutivi, miliona familje do të gjenden në vështirësi të mëdha”, tha ai në parlament.
Njoftimi për shtrenjtimin e çmimit të energjisë vjen në kohën kur kostot e jetesës në Mbretëri të Bashkuar janë shtuar vazhdimisht e në prill është parashikuar dhe një rritje e re e taksave.