Naim Musliu, profesor dhe anëtar i Kryesisë së PDK-së në Klinë, përmes një postimi në rrjetin social FB ka shprehur paknaqësinë e tij duke bërë një sërë pyetjesh në lidhje me problemet që ka DKA në Klinë, duke përfshirë pagat e 30 mësimdhënësve të Komunës që nuk paguhen.
Ky është postimi i plotë i Musliut:
Pas një numri të konsiderueshëm të ankesave nga mësuesit e Komunës së Klinës, kam disa pyetje për zyrtarët e DKA-së në Klinë:
1. Pse nuk po marrin pagat rreth 30 mësues në Komunën tonë, edhe pse ata kanë filluar punën që disa muaj, disa prej tyre kanë 5 muaj që punojnë pa paga?
2. Me çfarë të drejte ligjore ju keni bërë ndalesa nga paga e muajit shkurt për disa mësues, edhe pse ata kanë mbajtur të gjitha orët mësimore?
3. Pse DKA dhe shkollat nuk kanë dërguar listat e pagave të muajit shkurt për nënshkrim?
Fshehja e listave të pagave dhe ndalesat në pagë të mësuesve lënë hapësirë për dyshim, prandaj kërkojmë nga organet kompetente sqarime.