Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Këtë e bëri të ditur vetë ai teksa po vazhdon vizitën në Belgjikë, ku sot ka takuar zëvendëskryeministren e Ministren e Administratës Publike, Petra De Sutter.
“Diskutuam për projekte konkrete në fushën e administratës publike, konkretisht në projektet tona në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe procedurave administrative, proceset e rekrutimit si dhe në përmirësimin e sigurisë kibernetike”.
“Me këtë rast Prof.Dr. Petra De Sutter shprehu gatishmërinë e saj për mbështetjen e shtetit belg në projektet e administratës publike si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi miqësor u dakorduam për nevojën e zgjerimit dhe fuqizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona” ka shkruar Sveçla në Facebook.
Mes tjerash, ai e njoftoi edhe për të arriturat e qeverisë, ndër të tjera në sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit.