Andin Hoti është emëruar kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka njoftuar Qeveria e Kosovës të martën.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritet të saj “dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës”.
“Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë, andaj është obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Përgjegjësitë, fushëveprimi dhe procedurat e punës së këtij komisioni janë të përcaktuara me Ligjin për Persona të Zhdukur dhe me rregulloren për punë të këtij komisioni.
Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, para disa vitesh ka qenë deputet në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.