Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq e ka quajtur histeri të plotë gjithë reagimin e numrit një në Beograd, Aleksandar Vuciq pas emërimit të Nenad Rashiqit, ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës.
“I urdhëron 28 ministra të qeverisë së Serbisë ashtu siç do, e për një ministër në qeverinë e Kosovës, të cilin nuk mundi ta zgjedhë vetë, e të cilin as nuk e kontrollon krijon histeri të plotë”, ka shkruar ajo në Twiter.
Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, u emërua ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Albin Kurtit, pas dorëheqjes që dha nga kjo pozitë Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, nismë kjo politike e mbështetur fuqishëm nga Aleksandar Vuçiq dhe pushteti në Beograd.
Ky i fundit u trazua nga vendimi i Kurtit dhe bëri akuza të rrepta në drejtim të tij, ndërsa e ofendoi Rashiq duke e quajtur më te keqin e serbëve të Kosovës. Për më tepër, për shkak të kwtij vendimi, Vuçiq anuloi edhe pjesëmarrjen e tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që është paraparë të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Pak momente pas emërimit në këtë pozitë, Rashiq tha se politkania tjetër e Kosovës, që nuk është me Srpska-n, Rada Trajkoviq, do të jetë këshilltare e tij.
Në një intervistë për Danas, kjo tha se pranoi ofertën për shkak se mendon që ka nevojë për barazi të plotë në mënyrën se si trajtohen serbët, në gjithë Kosovën.
“Mendoj se veriu i Kosovës është sforcuar shumë ndërsa që pothuajse është harruar krejt territori në jug të Ibrit dhe enklavat”, ka thënë ajo për Danas, përcjellë klankosova.tv. “Banorët e enklavave janë lënë në harresë dhe ata janë të lidhur vetëm me Kishën Ortodokse Serbe. Dua ta kthejmë barazinë në interesim për serbët në krejt Kosovën”.
Rashiq dhe Trajkoviq kanë qenë pjesë e strukturave të mëhershme politike e institucionale në Kosovë. Ata mbetën nën hije pas themelimit të Listës Serbe më 2013 dhe fitoreve të kësaj të fundit nëpër të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, që nga atëherë, si rezultat i mbështetjes së fuqishme nga Vuciq.
Ndryshe, Bashkimi Evropian, emërimin e politikanit serb, Nenad Rashiç, si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si jo-kushtetues.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se emërimi i ministrave, në veçanti atyre që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, duhet të bëhen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“BE-ja dhe shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të sigurojë që të gjitha hapat e nevojshëm procedural gjatë emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitet joshumicë janë respektuar plotësisht”, ka thënë Stano.
Sipas Stano-s, Unioni pret që për emërimin e politikanit serb Rashiç si ministër për Komunitete të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Respektimi i Kushtetutës është pjesë kyçe e sundimit të ligjit, të cilit presim që Kosova t’i përmbahet”, ka shtuar Stano.