AMBASADORI I NORVEGJISË, PER STRAND SJAASTAD, VIZITOI KLINËN
Sot, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad, zëvendësministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Gjergj Beka, dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, z. Avni Ahmetin.
Me këtë rast u bë përurimi i projektit të sistemit të adresave, përkatësisht vendosja e emërtimeve të rrugëve në gjithë komunën e Klinës, donacion i qeverisë Norvegjeze.
Kryetari Elezaj falënderoi ambasadorin norvegjez për vizitën dhe për mbështetjen e madhe në këtë projekt shumë të rëndësishëm, jo vetëm për qytetarët por edhe për bizneset.
Elezaj, po ashtu informoi ambasadorin Sjaastad për projektet dhe zhvillimet në komunën e Klinës dhe theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet institucioneve është shumë i rëndësishëm për të mirën e shoqërisë.
Ambasadori norvegjez, Sjaastad, falënderoi kryetarin për pritjen miqësore dhe theksoi se ndihet shumë i lumtur për përurimin e projektit të sistemit të adresave. Ai, po ashtu vlerësoi bashkëpunimin profesional nga ana e komunës së Klinës gjatë realizimit të këtij projekti me një rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët e komunës së Klinës.
Ndërsa, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, falënderoi kryetarin për ftesën dhe theksoi se nga ky projekt përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Klinës.
Kurse, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, falënderoi kryetarin për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ambasadorin Sjaastad për mbështetjen në këtë projekt dhe shtoi se në vitin 2020 do të fillojë të implementohet projekti i vendosjes së numrave të shtëpive në të gjithë territorin e komunës së Klinës.9