Joern Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën.
Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quaj vëlla.
Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.
“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.
Qëndrimi prorus edhe i liderëve serbë, siç duket, nuk do t’i japë aq përparësi Kosovës para Serbisë edhe në sytë e BE-së.
“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.
Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.
“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”