Alush Agushi i njohur si Mala ka mohuar t’i ketë dhënë urdhër Shefqet Kabashit për t’i vrarë dy shqiptarë gjatë luftës. Ka thënë se akuzat po vijnë nga një psikopat që ka dezertuar në luftë. Agushi ka thënë se Kabashi ka bërë edhe më herët akuza të tillë ndaj udhëheqësve të UÇK’së e më vonë është tërhequr. Sipas tij, ish-ushtari i UÇK’së është i paguar për të bërë akuza të tilla.
Njëri prej udhëheqësve të luftës në Dukagjin, Alush Agushi, ka thënë se s’ka gisht në asnjë urdhër për vrasjen e shqiptarëve qysh u akuzua publikisht nga Shefqet Kabashi, ish-ushtar i UÇK’së i cili kishte lënë luftën dhe ishte arrestuar nga ushtria serbe.
Kabashi, në Pressing të T7, ka thënë se Alush Agushi i kishte dhënë dy urdhra për vrasje gjatë luftës. Ka thënë se ishte autorizuar të kryente vrasjen ndaj Rrok Berishës dhe Sadik Gashit, të dy njerëz të LDK’së dhe të afërt të Ibrahim Rugovës.
Këto akuza Alush Agushi ka thënë se po vijnë prej një psikopati që ka akuzuar edhe më herë disa prej udhëheqësve të UÇK’së e më pas është tërhequr.
“E kam dëgjuar: ai është një psikopat. Një drogirash. Nuk e di kush ka mujt ta marrë në pyetje atë psikopat. Ato janë rrena. Krejt cka ka fol ai është rren. Pyetni ata direkt se kush ka dhënë urdhër. Nuk është e vërtetë”, ka thënë Agushi, për Express, të dielën.
Shefqet Kabashi u rikthye në skenë kur u shënua përvjetori i masakrës së Dubvravës ku ishin masakruar qindra shqiptarë të zënë robër. Aty, Kabashi lëshoi akuza në drejtim të zyrtarëve shtetërorë se janë bërë tradhtarë.
Më herët Kabashi kishte qenë dëshmitar në gjykimin e Ramush Haradinajt ne Hagë, por, atje kishte refuzuar të jepte dëshminë.
Shefqet Kabashi e kishte lënë UÇK’në dhe luftën pasi fillimisht ishte pjesë e saj. Në Pressing ka thënë se është larguar nga lufta dhe ka rënë në duart e ushtrisë serbe pasi kishte refuzuar t’i kryente dy urdhra për vrasjen e shqiptarëve. Ka thënë se këto urdhra i kishte dhënë Alush Agushi.
“Ky ishte ushtar dy tre muaj. Ka ikur. E kanë zënë, kishe në burg. E ka akuzu edhe Ramushin përpara… Tash pas 20 vitesh ka nisur kësi mutsihanesa”, ka thënë Agushi i njohur në luftë si Mala.
Ai ka thënë se dy personat për të cilët akuzohet nga Kabashi janë gjallë. Ka thënë se të dytë i njeh, i ka shokë dhe ka pasur komunikim para luftës, pas luftës dhe tash me ta.
“Për të dytë që më akuzuar mua, të dytë, janë gjallë. Rroku ka qenë te unë në restuaruant. Me Sadik Gashin jemi shok të paraluftës”, ka thënë Agushi.
Në Rajonin e Dukagjinit kishte pasur përplasje ndërmjet dy krahëve të UÇK’së, atij të Shtabit të Përgjithshëm dhe krahut të FARK’ut të Ibrahim Rugovës.
Kishte pasur edhe mosmarrëveshje se kush duhet të ishte Shef kryesor i UÇK’së në këtë rajon. Njëherë ishte përmendur se shef atje duhet të jetë Tahir Zemaj i krahut të FARK’ut kurse më vonë ishte bërë Ramush Haradinajt. Pasluftës ishte vrarë Zemaj në rrethana ende të pasqaruara.
Sidoqoftë, Alush Agushi dyshon se Shefqet Kabashi u është rikthyer akuzave i paguar nga dikush. Por, thotë se nuk di se kush është financuesi i tij.
“Ky ka marrë para prej ndokujt. Nuk i di flliqtihanet e tij. I ka bërë edhe më herët akuza të tilla. E ka pa edhe vetë se s’ka asgjë. Është mirë me pyet atë se kush e ka shti. Asnjëherë s’më është përmendur emri për gjëra të tilla”, ka thënë ai.
Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur hetimet për deklarimet e Kabashit.
Por, Alush Agushi thotë se askush s’e ka pyetur për asgjë.
“Jo nuk jam intervistuar nga askush. Me siguri e kanë parë se akuzat po vijnë nga një psikopat”, ka thënë ai.