Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar për ndryshim të trasesë së hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë arsyet pse u vendosë për trasenë që kalon kah Shkodra-Gjakova dhe në fund në Prishtinë, studimin e fizibilitetit dhe afatet se kur mund të filloj puna për realizimin e këtij projekti kombëtarë.“Nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë, është çështje teknike. Kanë qenë disa opsione të mundshme. Dy kryesoret kanë qenë që një të shkojë paralel me autostradën që i ka pasur elementet teknike të vetat, opsioni i tjetër është ky që e shfrytëzon luginën e Drinit për të dalë në Shkodër përmes Gjakovës ku në kuptimin e lidhjeve dhe kyçeve me korridoret, ky opsion është mjaft interesant për shkak se e lidh edhe portin e Tivarit në këtë korridor”.
“Pra edhe porti i Durrësit, edhe porti i Shëngjinit, edhe porti i Tivarit do t’i kenë rrugët më të shkurtra për gjithë regjionin nëse e shfrytëzojnë këtë linjë hekurudhore, që i bie se mallrat që vijnë nga porti i Tivarit të kalojnë përmes Shqipërisë. Shqipëria të bëhet vend transit, Shkodra të jetë një pikë prej ku mallrat mund të orientohen, dhe Prishtina të jetë qendra e ndarjes, shpërndarjes apo porti i thatë prej ku në të gjithë regjionin në të dyja drejtimet mund të lëvizin mallrat e po ashtu edhe udhëtarët”, tha Aliu, për RTK.
Aliu ka folur edhe për projektet infrastrukturore brenda Kosovës që janë në zhvillim e sipër dhe po ashtu njoftoi se sot u nënshkrua projekti me Maqedoninë e Veriut për tunelin Prizren-Tetovë.