Kryeministri Kurti zhvilloi 7 takime të ndryshme vetëm gjatë ditës së premte.
U zgjua herët në mëngjes.
Prej banesës ku jeton me qira afër Parkut të Qytetit, ai u nis për në zyrën e tij të re.
Aty nuk qëndroi shumë, pasi që ka shumë takime të planifikuara gjatë ditës.
Kurtit iu dashtë të mbërrijë në qytetin e Klinës pak pas orës 8 të mëngjesit të së premtes.
Kryeministri i vendit, doli për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga një stuhi e fortë që goditi Dukagjinin, dy ditë më parë.
Prej aty, kryeministri i ri i Kosovës, vazhdoi për në Istog, ku u prit nga kryetari Haki Rugova.
Por, agjenda e tij në këtë rajon nuk u ndal me kaq.
Shefi i ekzekutivit shkoi edhe në Pejë, ku pati një takim me drejtuesit komunal e ku panë nga afër dëmet e shkaktuara nga stuhia.
Nga Peja, ai u kthye në zyrën e kryeministrit në Prishtinë, ku kishte planifikuar takime të shumta me diplomat të akredituar në Kosovë.
Të parin që e priti ishte ambasadori e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, ku nga aty tha se do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.
Shefi i ekzekutivit më pas priti ambasadoren Kroate në Kosovë, Danijela Barišic, e cila tha se raportet miqësore Kosovë-Kroaci do të thellohen edhe më shumë.
Pas saj, në vizitë i erdhi ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, të cilin e e falënderoi për kontributin e dhënë Kosovës në shtetndërtim.
E takimet me ambasadorë i përmbylli me atë të Luksemburgut, Natacha Gomes.
Por gjithë këto takime, me sy kritik po i sheh analisti Bekim Kabashi.
Sipas tij, Kurti po mundohet që t’i tregojë ndërkombëtarëve që është i gatshëm për bashkëpunim me ta.
Kabashi thotë se Kurti do të jetë i kujdesshëm në vendimmarrje, e nuk do të ngutet si paraardhësi i tij Haradinaj.
Albin Kurti, mori mandatin me 3 shkurt ndërsa edhe ditëve paraprake pati takime të shumta me ambasador të shteteve mike të Kosovës.