Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)
për deputet Alban Rraci, dhe kryetari i degës së kësaj partie në Klinë ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka pranuar vendimin e qytetarëve duke u zotuar për një angazhim të vazhdueshëm në politikë.
Reagimi i tij i plot:
Të dashur qytetarë të Klinës, të nderuar anëtarë dhe mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Rezultati i zgjedhjeve të 9 Shkurtit nuk ishte ai që prisnim!
Përkundër angazhimit tonë të madh, LDK në Klinë nuk arriti të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve. Si kryetar i Degës, e marr përgjegjësinë që më takon dhe e pranoj këtë rezultat me respekt për vullnetin tuaj.
Por kjo është demokracia – sfiduese dhe shpesh e ndërlikuar, por gjithsesi sistemi më i mirë politik që njohim. Ne e pranojmë këtë rezultat, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe bindjet tona. Lidhja Demokratike beson në një politikë të matur, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Ne nuk kemi zgjedhur dhe nuk do të zgjedhim kurrë rrugën e urrejtjes apo të propagandës së rreme. Nuk besojmë në retorikën boshe nacionaliste, që përfundon në kompromise të dëshpëruara.
Pavarësisht sfidave, LDK do të vazhdojë angazhimin me përkushtim në çdo rrethanë. Edhe pse rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur, dua t’i uroj fituesit e këtyre zgjedhjeve. Respektimi i vullnetit të qytetarëve është themeli i demokracisë. Ne do të jemi këtu – më të fortë, më të organizuar dhe gjithmonë në shërbim të vendit.
Në këtë moment, dua të falënderoj secilin prej jush për angazhimin dhe energjinë pozitive gjatë kësaj fushate. Falënderoj të gjithë aktivistët, strukturat e degës dhe secilin votues që na dha besimin. Kjo fushatë tregoi shpirtin e vërtetë të LDK-së – një parti e matur, me vizion dhe me një ekip që punon me dinjitet për të ardhmen e vendit.
Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për drejtimin e tij të qartë dhe të guximshëm. Nën udhëheqjen e tij, LDK ka treguar se është forca e arsyes, maturisë dhe zhvillimit europian të Kosovës.
Përpara na presin sfida të reja, por angazhimi ynë nuk do të ndalet. LDK do të vazhdojë të punojë për të qenë gjithmonë alternativa e shpresës dhe e progresit.
Me respekt,
Alban Rraci