Kandidatët e LDK-së për deputetë, Alban Rraci dhe Arben Limanaj, së bashku me kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, vizituan sot familjen Krasniqi në fshatin Cerevik të Klinës, ku u pritën me përkrahje të madhe nga qytetarët.
Gjatë kësaj vizite, Rraci dhe Limanaj theksuan se fryma e ndryshimit që po sjell platforma “Rruga e Re” po ndjehet gjithandej, duke rikthyer shpresën tek qytetarët e zhgënjyer nga qeverisja aktuale.
“Ndihem jashtëzakonisht i nderuar për mbështetjen e jashtëzakonshme që po marrim në çdo fshat dhe lagje të Klinës. Kjo është dëshmi se LDK po rikthehet fuqishëm si partia e parë, aty ku historikisht ka qenë dhe ku e ka vendin,” deklaroi Alban Rraci, transmeton Klina.info.
Arben Limanaj vuri në pah vizionin shtetformues të LDK-së dhe angazhimin e pandalshëm për të sjellë ndryshimin e shumëpritur për qytetarët e Kosovës.
Ai shtoi se “Rruga e Re” është zgjidhja e qartë për problemet ekonomike, sociale dhe politike me të cilat përballet vendi.
Kjo vizitë është pjesë e turneut të LDK-së, që synon fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke vendosur Klinën dhe Kosovën në një drejtim të ri dhe më të mirë për të gjithë qytetarët.