Numri i operacioneve në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) ka rënë ndjeshëm, si pasojë e mungesës së anesteziologëve. Ikja e anesteziologëve nga QKUK- ja, ka bërë që të bjen dhe numri i operacioneve në këtë qendër.
Sallat e operacioneve në QKUK nuk po punojnë me kapacitet të plotë dhe se numri i operimeve, varet nga numri i anesteziologëve, të cilët çdo ditë po e braktisin QKUK-në. Kështu që me zvogëlimin e numrit të anesteziologëve nga QKUK -ja, po bien dhe numri i operimeve.
Megjithëse nga drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), nuk preferuan të flasin lidhur me këtë temë, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të “IndeksOnline”, për dështimin e operacioneve në mungesë të anesteziologëve, burime brenda QKUK-së i ka thënë “IndeksOnline” se gjendja është alarmante, pasi që ka mungesë të anesteziologëve dhe se po dështojnë të kryhen operacionet.
Sipas këtij burimi vetëm brenda një jave në QKUK dështojnë të operohen 90 deri në 100 pacient, si pasojë e mungesë së anesteziologëve. E bazuar në këto shifra, gjendja sa i përket operimeve në QKUK është alarmante.
“Brenda javës, përafërsisht 27 deri në 30 për qind të sallave mund të bien, apo 90 deri në 100 pacient në javë nuk mund të operohen, për shkak të mungesës së anesteziologëve. Ose 5200 pacient në vjet, nuk mund të trajtohen, për shkak të mungesës së anesteziologëve”, ka thënë ai.
Ndërsa thotë se urgjent duhet të bëhet diçka, në mënyrë që kjo gjendje të ndryshoj në QKUK. Burimi po ashtu i ka thënë “IndeksOnline” se anesteziologët të cilët kanë mbetur të pakët në numër në QKUK, po e bëjnë të pamundurën që të mbahet trendi i operimeve që është tani.
“Për shkak se nuk ka anesteziolog të mjaftueshëm, çdo ditë e më shumë salla po bijnë. Duhet të sensibilizohet pushteti dhe duhet urgjent të bëhet diçka. Sepse ata njerëz që po punojnë aty, po dalin nga lëkura e vet me mbërri në këtë pikë, me mbajt këtë numër të sallave edhe paramendoni sa salla ka pa mbulu. Duhet me pas një strategji dalëse nga kjo, qoftë në aspektin organizativ, që është shumë vështirë, apo qoftë në aspektin financiar apo stimulues, që kishte me qenë shumë lehtë”, tha ai.