Mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente në QKUK, Avdush Bajgora, bën të ditur se në Emergjencë po trajtohen 200-230 raste brenda një dite.
“Qendra Emergjente që trajton rastet emergjente është e stërngarkuar. Numri i rasteve është rritur në mënyrë drastike dhe kemi 200-230 raste në ditë. Së paku, 30-35 pacientë janë me COVID-19”, ka thënë Bajgora në Klan Kosova.
Ai thekson se maskat janë të numëruara, përderisa ngre alarmin për kontaktin e stafit mjekësor me pacientët.
“Nëse dikush është i atakuar janë mjekët dhe teknikët e Qendrës Emergjente që punojnë në vrull të madh. Mundësitë dhe kapacitetet e Qendrës Emergjente janë shumë të vogla. Maskat dhe gjërat tjera i kemi të numëruara, jo aq sa na duhen. Këtu vijnë raste të pakonfirmuara”, tha Bajgora.
Bajgora ka theksuar se 38 punëtorë shëndetësorë të kësaj qendre janë infektuar me koronavirus.