Institucionet në vend janë mbledhur sot në një takim të përbashkët për të diskutuar lidhur me parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të zjarreve gjatë verës.
Në këtë takim që është mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kanë marrë pjesë përfaqësues të Policisë, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të cilët kanë diskutuar për modalitetet e veprimit në rast të raportimit apo identifikimit të rasteve të zjarreve apo zjarr-vënieve në vendin tonë.
Në takim, nga përfaqësues të MBPZHR-së është diskutuar edhe mundësia ligjore e sanksionimit me mos përfshirje në programe të subvencionimit për të gjithë ata pronar të tokave që djegin sipërfaqet e tokave të tyre.
“Autoritete apelojnë tek të gjithë qytetarët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe tokësore- hamullore, etj, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr-vënie, pasi do të përballen me pasojat ligjore. Po ashtu, apelohet fuqishëm që për çdo rast të identifikuar të zjarreve të njoftohen numrat emergjent pa pagesë: AME (112), Policia (192) dhe Zjarrfikësit (193), për reagim sa më efikas”, thuhet në njoftim.
Është kërkuar edhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME-në dhe autoritetet tjera në identifikimin e personave që potencialisht mund te jenë shkaktar të rasteve të tilla të zjarreve që mund të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe dëmtojnë ambientin.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar që në bashkëpunim me autoritetet kompetente çdo rast ta hetojë dhe të iniciojë procedurë ligjore, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të gjithë ata persona të dyshuar që janë të përfshirë në vepra të tilla të zjarr-vënieve apo në një mënyrë tjetër rrezikojnë sigurinë e përgjithshme”, përfundon njoftimi.