Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër pronarit të kompanisë turistike “Peja Reiseburo”, Eros Idrizaj. Ai dyshohet se ka mashtruar 40 persona duke aranzhuar kinse bileta udhëtimi për në Turqi. Dëmi vlerësohet të jetë mbi 44 mijë euro.
Për akuzën që rëndon mbi supet e Idrizajt për Gazetën Insajderi ka folur pala mbrojtëse e tij, Salih Mekaj.
Mekaj konfirmoi pronari i “Peja Reiseburo” ka pohuar diçka por nuk specifikon se çka teksa shton se hetimet janë duke u zhvilluar.
“Ai është marrë në pyetje nga ana e prokurorit, është në procedurë, lënda është në prokurori në hetime dhe presim me vazhdu hetimet”. I pyetur se a i ka thënë diçka kur është takuar me të, ai deklaroi “Jo ai (Eros Idrizaj) nuk më ka thënë asgjë, ai pohon ato që i ka kry, ato që si ka kry i mohon ato që si ka kry”, ka deklaruar avokati duke mos specifikuar se çka ka pohuar.
Bazuar në aktakuzën e prokurorisë, Zekaj “nga data 27 korrik 2022 në vazhdimësi gjer me datë 14 shtator 2022, në agjencinë e tij turistike në Pejë, duke paraqitur fakte të rreme me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, fillimisht ka mashtruar disa klientë me bileta udhëtimi në drejtim të Turqisë, e me këtë nxitë edhe shumë persona tjerë të kryejnë një veprim të tillë në dëm material të pasurisë se tyre, kinse ka aranzhuar biletave të udhëtimit dhe aranzhime në hotelet për pushime verore në Turqi, e me këto veprime i vë në lajthim mbi 40 viktima të cilëve u shkaktohet dëm material në vlerë mbi 44 mijë euro”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë.
I pandehuri nga muaji tetor të vitit të kaluar me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Pejës gjendet në masën e paraburgimit.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) kompania “Peja Reiseburo” figuron të jetë e regjistruar qysh nga viti 2014. Tek përshkrimi i veprimtarive figuron se si aktivitet primar ka aktivitetet e agjencive të udhëtimit.