Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, për veprën penale – konflikt interesi, ish-nënkryetarit të Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj për veprën penale -falsifikim i dokumentit si dhe ndaj zyrtarit të Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Istogut, I.H., për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Haki Rugova si kryetar i Komunës së Istogut, edhe pse e ka ditur faktin se edhe para shpalljes së ankandit publik, vëllai i tij G.R., ka qenë duke e shfrytëzuar pronën të cilën e ka fituar përmes ankandit dhe pasi e ka fituar të njëjtën, në vend se të përjashtojë veten nga kjo çështje zyrtare, i njëjti e rekomandon ish-nënkryetarin këtu të pandehurin Lulzim Blakaj ta nënshkruajë kontratën për kryetarin.
I pandehuri Lulzim Blakaj, sipas aktakuzës, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës se Istogut, pasi ka kuptuar se janë duke u hetuar nga organet e hetuesisë për ketë çështje penale, ka urdhëruar zyrtarin ligjor që të hartojë një dokument i cili kinse ka ekzistuar qysh nga vitin 2018, e krejt këtë e bën me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Kurse, i pandehuri I.H., akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të sektorit në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, duke bërë kundërligjshëm destinimin e pronave me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “Macon”, pronë e vëllait të të pandehurit Haki Rugova.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se tre të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.