Inspektorati Policor të Kosovës dhe Prokuroria Speciale në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë janë duke vazhduar aksionin “Pika”, që para disa javësh përfundoi me arrestimin e mbi 50 zyrtarëve policorë, raporton Express.
Sipas burimeve të Gazetës Express, atje pritet të arrestohen rreth 20 policë të Kosovës dhe 40 të Shqipërisë.
Ata dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës bashkë me Prokurorinë Speciale kanë nisur sot herët një aksion për dyshimet për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Express.
Sipas komunikatës, këtij aksioni i ka paraprirë një hetim një vjeçar.
“Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, thuhet në komunikatë.