Policia e Kosovës pas një aksioni të zhvilluar këtë të mërkurë në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës ka arrestuar katër persona.
Nga ky aksion janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë tre zyrtarë dhe një pronar i një kompanie, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender në vlerë prej 35 mijë eurove.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i Komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro”.
“Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.
“Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale,”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”.