Ajri i pastër ka bërë që të shihen edhe satelitët artificialë në qiell gjatë natës.
Kjo u ka tërhequr vëmendjen qytetarëve të karantinuar, të cilët objektet e tilla që rrallëherë shihen, i kanë xhiruar, njofton Klan Kosova.
Milaim Rushiti, kryetar i Astronomy Outreach Kosova, tha për klankosova.tv se ditëve të fundit në objektivin e tyre po vërehen satelitë që po udhëtojnë nëpër hapësirë edhe në mënyrë të organizuar.
“Diku rreth 30-40 të tillë brenda orës 21:00-22:00 po shihen duke udhëtuar. Këta trupa nuk janë ndonjë shqetësim pasi që janë vetëm satelitë artificialë e që në hapësirë e dimë se ekzistojnë mbi 4000”.
“Arsyeja pse ata po vërehen tani sipas mendimit tim, si profesor i astronomisë dhe si kryetar i klubit “Astronomy Outreach of Kosovo” që merremi ekskluzivisht me vrojtime mendojmë se këta trupa kanë filluar të vërehen pikërisht tani pasi mendojmë se shkaktar kryesor është pastërtia e ajrit, pasi nuk ka ndotje kohëve të fundit. Kështu si rrjedhojë ne po mund të vërejmë një stoli shumë të bukur të qiellit, pra këta satelitë artificialë që e përshkruajnë tokën në baza ditore. Gjatë vrojtimeve rol të madh luan edhe pastërtia e ajrit”.
Ai tha se satelitët që po shihen janë të kompanisë Space X të quajtur Starlink, të cilët shërbejnë për internet nëpër botë.