Fabrika e përpunimit të farërave “Agroelita”, në Klinë, tashmë ka arritur që në saje të punës dhe cilësisë së përpunimit të farërave, sidomos të grurit, të jetë fabrika që ka kaluar caqet e vendit. Në kuadër të kësaj fabrike, në arat e saj mbillen, pos grurit, edhe kultura të tjera bujqësore , si bizele, luledielli e foragjere. Ndërkaq, ka filluar edhe korrje-shirja e grurit. Ilaz Selimi, drejtor i kësaj fabrike, tregon, per Klina.info për përgatitjet e bëra për këtë fushatë dhe për rendimentet e cilësinë e grurit. “Korrje-shirjet në kushtet klimatike që ka vendi rajoni i Dukagjinit zakonisht fillojnë në fillim të muajit korrik. Këtë vit kanë filluar pak më vonë, krahasuar me vitin e kaluar, sepse edhe vegjetacioni ka qenë më i vonë dhe grunajat janë mbjell më vonë në vitin e kaluar se sa në vitet e kaluara”, thotë Selimi. Ai shton se sivjet pos sipërfaqeve të mbjella me grurë, për ta dorëzuar në mullinjtë e vendit, kanë mbjellë edhe 160 hektarë sipërfaqe farë gruri të cilësisë më të lartë, pastaj bizele e foragjere 38 hektarë dhe luledielli 17 hektarë. Tashmë korrje-shirjet janë në vlugun më të madh dhe rendimentet sillen rreth 6000 kilogram për hektarë, kurse cilësia është e kënaqshme, duke siguruar fermerët se sivjet edhe cilësia e farës do të jetë e cilësisë mjaft të mirë, përkundër importit të saj që shpesh ka rezultuar e cilësisë së dyshimtë./Klina.info/