AGK kërkon të mbahet përgjegjës imami që sulmoi ekipin e Insajderit, jep detaje nga rasti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin nga imami i xhamisë “Sheikh Zayed” në Vushtrri, hoxhë Bedri Halili, ndaj gazetares dhe kameramanit nga portali “Insajderi”.

Gazetarja ka deklaruar se ka=ishte shkuar për të pyetur imamin për disa deklarata të publikuara online ku dëgjohet të ketë fyer gratë, duke thënë se nuk duhet të organizohen “dasma për k*rva”, transmeton lajmi.net.,

Teksa imami, sipas saj, me ta kuptuar pyetjen e ka sulmuar fizikisht ekipin.

“Hoxha me një vrull dhe një zë të lartë, më drejtohet duke thënë menjëherë ik nga këtu. Me forcë ma kap krahun më shtrëngon dhe më shtyn në distancë një metër. Më referohet me fjalën njëra prej atyre që po pyet je edhe ti”, tha ajo, duke shtuar se Halili ka tentuar ta godasë me një stol të vogël, edhe pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes.

AGK-ja, e konsideron të rëndë dhe të papranueshëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve, që ka rrezikuar sigurinë e tyre dhe ka penguar zhvillimin e punës profesionale. Përkundër faktit që sulmi ka vazhduar edhe në prezencë të Policisë, imami është liruar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit.

“AGK-ja, i bën thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet rastin, dhe që ta mbajnë përgjegjës personin që ka sulmuar fizikisht gazetarët”, thuhet në reagimin e AGK-së.