Mbi 96.1 për qind të ekonomive familjare kanë qasje në internet, ku prej tyre 62.3 për qind janë përmes telefonit.
Kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2021”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkruan Telegrafi.
“96.1 për qind e ekonomive familjare kanë qasje në internet, 94 për qind janë shërbyer përmes linjës fikse (rrjeti optik ose kabllor, ADSL, DSL, VDSL, internet kabllor), ndërsa 62.3 për qind përmes linjës telefonike (telefona të mençur, tablet)”, thuhet në raport.
Sipas ASK-së, ka pasur rritje në përdorimin e internetit nga linja telefonike.
“Në krahasim me vitin 2020, vërehet se ka pasur rënie në përqindje të përdorimit të internetit përmes linjës fikse prej 1.1 për qind, por nga ana tjetër ka pasur rritje në përdorimin e internetit nga linja mobile prej 8.3 për qind”, thotë ASK.
Lloji i qasjes në internet në ekonomitë familjare në vitin 2020-2021 | Burimi: ASK
Për sa i përket përdorimit të internetit, del se rreth 90 për qind e qytetarëve në Kosovë e kanë përdorur atë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë.
“Rreth 87.6 për qind e individëve e kanë përdorur internetin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, ndërsa 80 për qind prej tyre përfaqësojnë individët që kanë përdorur internetin disa herë gjatë ditës, krahasuar me vitin 2020 vërejmë se ky tregues ka shënuar një rënie prej 11.4 për qind”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.
Qasja më e madhe e internetit nga shtëpia është nëpërmjet telefonave.
“93.1 për qind e individëve të cilit kanë pasur qasje në internet larg nga shtëpia ose puna gjatë tre muajve të fundit në vitin 2021 janë qasur përmes telefonit apo përmes telefonit të mençur. Individët të cilët kanë pasur qasje në internet përmes kompjuterit përfaqësojnë 32.1 për qind, ndërsa me laptop 28.8 për qind, me tablet 24.6 për qind si dhe përmes pajisjeve të tjera me 44.4 për qind”, tregon Agjencia e Statistikave.
Referuar të dhënave të fundit të publikuara në raportin vjetor të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, del se Kosova është e para për sa i përket qasjes në internet.
Sipas Komisionit Evropian, qasja në internet në Shqipëri është 85 për qind, në Serbi 80 për qind, Maqedoni e Veriut me 79 për qind, në Mal të Zi me 74 për qind dhe në Bosnje e Hercegovinë me 72 për qind.