AGIM GJAKOVA

Ç’fjalë e valë
I kish mbetur ende në sy gjallë
Fëmijërisë
Nën batanijen e shkrumbit të zi
Të trupit të Gjakovës

Për një dashuri
Dy shtete mbi shpinë
Dy shtete bashkë me partinë

Për një dashuri sa Kosova
Agim Gjakova

DHIMBJET NUK MASHTROHEN SI NJERËZIT

Mbaj mend në gjimnaz në Kijevë
në kohën kur pushteti ende dridhej
nga gjëmimet e 81-tës,
në sallë të arsimtarëve hynin pa trokitur
dalëngadalë avash-avash me kokën lart
palaçot e sokakut lolot syleshë
që për nënshkrim vinin gisht

dhe pa “mirëdita” fare
nga dera kërcënonin profesorët
të mos largohen nga shtëpia
as tash në pushime
se mund të ketë mbledhje shpesh
për shkak të situatës politike

e profesorët e mi
nga rrafshnalta e mendimit ku ishin
(nga ku dot nuk zbrisnin)
u hidhnin atyre një fshikull të vështrimit
mbi fytyrën që fare s’e kishin

profesorët e mi të mirë
të cilët pastaj i mori
burgu e sëmundja e lufta
për këtë ditë
për këtë ditë

NDËRMJETËZA

Ma morën oksigjenin
e m’i shpërtheu
dhimbja brinjët.

Ma shkelën amën e burimit
që niset prej Rilindjes
e ma lanë pa sy ditën.