Afrim Muçiqi dëshmitar në gjykimin për fajde dhe vepra tjera ndaj kryetarit të ‘Dardanëve’ dhe të tjerëve

Aksionari në klubin e futbollit “Prishtina” dhe pronari i biznesit NTP “Muçiqi”, Afrim Muçiqi, është ftuar si dëshmitar në gjykimin, ku kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, si dhe Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, Rrahim Brahimi dhe Alban Geci, po akuzohen për fajde, krim të organizuar, e vepra tjera penale.

Ndryshe, sipas kësaj aktakuze, Lulzim Berisha akuzohet për fajde, Geci, akuzohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi dhe Rrahim Brahimi ngarkohen për veprat penale “krim i organizuar”, “fajde”, “detyrim”, “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Afrim Muçiqi është ftuar për të dëshmuar në këtë gjykim, pasi nga aktakuza e PSRK-së, rezulton se i akuzuari Bujar Gërbeshi, gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri me 20 dhjetor 2018, i kishte dhënë para me fajde atij, në shumë rreth 10,000.00 euro, ndërsa siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Muçiqi, ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës.

Dëgjimi i Muçiqit, si dëshmitar do të bëhet në seancën e caktuar më 9 mars, nga ora 09:00.

Paraprakisht, në këtë gjykim, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar pronari i kompanisë ndërtimore “Pejtoni” sh.p.k, Bejtush Zhugolli.

I dëmtuari Zhugolli, gjatë dhënies së dëshmisë së tij mohoi të ketë paguar fajde në dobi të të akuzuarit Dalip Brahimi, duke shtuar se atë e konsideronte si shok.

“Kurrë në jetën tem s’kam pagu fajde për Dalip Brahimin. E konsideroj shok edhe më tutje, asnjëherë në jetën tem s’kam qenë i dëmtuar prej Dalip Brahimit” tha i dëmtuari Bejtush Zhugolli.

Edhe pse nga Prokuroria Speciale atij i ishte dhënë statusi i të dëmtuarit, Bejtush Zhugolli, deklaroi para gjykatës se nuk e ndiente veten të dëmtuar në këtë çështje penale.

“Se ndi veten palë e dëmtune, në rast se nuk ju duhem mos me m’kriju shpenzime mos me m’hup kohë për këto gjona. S’kam thon kurrë që jam i dëmtun, me pas ditë që e ndi veten palë e dëmtune, organet i kemi, unë vet e paraqes rastin”, shtoi ai.

Në pyetjen e prokurorit special, Zhugolli ka pranuar se ka huazuar para nga i akuzuari Dalip Brahimi, qoftë përmes llogarive bankare dhe në dorë.

“Edhe përmes xhirollogarive edhe kesh. S’muj mi ditë saktë sa para i kam huazu, t’i kam thon atëherë, se kam marr listën me veti që me ditë sa pare kam marrë, por unë të gjitha i posedoj në formë të shkruar, sa i kam dhe sa i kam kthy, dhe të njëjtat i kam dorëzu në prokurori, ktu s’ka kurrgjë të jashtëligjshme”, tha ai.

Prokurori Abazi, ka kërkuar sqarime nga ai se me çfarë arsyetimi ai kishte paguar 666 mijë euro për të akuzuarin Dalip Brahimi, kur sipas evidencave financiare, figuronte se ai kishte huazuar vetëm 660 mijë euro.

“Nuk e di qysh ka mujt me u bo ky gabim, në përgjithësi ato që i kam sjellë aty kanë qenë me datë se i kam të nxjerruna, transfere prej xhirollogarisë, shumica janë, ato që janë kon kesh i kam paraqitë, kurrë nuk e di pse i kam kthy 6 mijë euro ma shumë”, deklaroi ai.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, ai pranoi se kishte huazuar para nga i akuzuari Brahimi, që nga paslufta e deri në vitin 2013, për të investuar në ndërtime dhe blerjen e patundshmërive.

“Prej mas luftës e deri në vitin 2011, 2012, 2013, nuk më kujtohet saktë se masnej skam arrë mo. Ndërtesën në Pejton e kam ndërtu prej vitit 2007, në vitin 2012-2013 u bo e gatshme. Parat i kam huazu prej Dalipit për me investu në këtë ndërtesë por edhe për me ble ni pronë” deklaroi ai.

Zhugolli, i pyetur për aktivitetin e të akuzuarit Brahimi, deklaroi se sipas njohurive të tij, Brahimi merrej vetëm me shitblerje të pronave, e jo me diçka ilegale.

“Përpos që është marr me shitblerje të pronës se kam dit që merret me diçka tjetër, se di as sot. Ato para i kam huazu nga Dalipi për me punu me to, për biznesin në lidhje me ndërtim, niher kam huazu kur e kam ble do tokë, 86 mijë euro, i kam kthy ato” tha i dëmtuari.

Pas përfundimit të dëshmisë së të dëmtuarit Bejtush Zhugolli, prokurori Abazi ka njoftuar gjykatën se ai heq dorë nga dëgjimi i Mustafa Abazi dhe Sejdë Kaqorraj, dhe nga deklaratat e tyre të dhëna në cilësi të dëshmitarëve.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 9 dhe 11 mars 2020, nga ora 09:00.

Për seancën e 9 marsit janë ftuar në cilësinë e dëshmitarit Hilmi Zhugolli, dhe Afrim Muçiqi, ndërsa për atë të 11 marsit, Myzafete, Skender dhe Jakup Blakqori.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) aktakuzën ndaj Dalip Brahimit, Ismet Salihut, Bujar Gërbeshit, Rrahim Brahimit, Lulzim Berishës dhe Alban Gecit, e kishte ngritur me 8 maj 2019.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri me 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakqori dhe Besim Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtush Zhugolli, në gusht 2008, shkurt dhe korrik 2010, nga i akuzuari Dalip Ibrahimi kishte marrë gjithsej shumën prej 165,914.00 euro, kurse i dëmtuari Zhugolli, i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599,000.00 euro, kurse për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve Bejtush dhe Ilmi Zhugoli një lokal me çmim 167,000.00 euro, tre banesa në vlerë prej 146,805.00 euro, një veturë “Mercedes”, e cila pasuri që i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugolli, tejkalon shumë prej një milion euro.

Ndërkaq, thuhet se i akuzuari Dalip Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave, së bashku me të dëmtuarin Bejtush Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë te noteri, kinse i akuzuari Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Zhugolli, një parcelë në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100,000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit para në shumë të ndryshme me përqindje prej 5-15% i kishin dhënë edhe të dëmtuarit Skënder Blaqori, dhe në momentin kur ai nuk kishte arritur të kthejë kamatën, i akuzuari Dalip Brahimi përmes të dëmtuarit Bejtush Zhugolli dhe një personi me emrin Ekrem Leci, e kishin detyruar Blakqorin që të nënshkruajë një kontratë për shitblerjen e banesës së lagjen “Dardania”, në Prishtinë, në sipërfaqe prej 161.81 metra katror, dhe të njëjtat para që i dëmtuari Blakqori i kishte marrë nga shitja e banesës, e kishin detyruar që t’ua paguajë “borxhet” atyre.

Në aktakuzë thuhet se kjo patundshmëri ishte regjistruar në emër të Dalip Brahimit, ndërsa i dëmtuari Blakqori gjatë periudhës kohore 2010-2019, kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili përveç parave që i kishte marrë në emër të fajdesë, ia kishte marrë edhe një banesë në lagjen “Mati 1”, në sipërfaqe 86.16 m2.

I dëmtuari Jakup Blakqori, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010, kishte kontaktuar me vëllain e tij Skënderin, i cili i kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi, do t’i sjell 15.000 euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar, dhe me të arritur i akuzuari Gërbeshi tek i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte thënë se 8,100.00 euro, do t’i ndalë në emër të kamatës së borxhit të vëllait të tij Skënderit, kurse 6,900.00 euro mund t’i marrë.

Kështu, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte marrë shumën prej 6,900.00 euro dhe për këtë shumë kishte paguar 10,500.00 euro në emër të kamatës.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Besim Beqiri kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili e kishte detyruar Beqiri me të bijtë e tij që të paguanin kamatës e kontraktuar në shumë prej 4.000 euro.

PSRK-ja të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi po i ngarkon me veprën penale “Fajde”.

Po ashtu, të njëjtit po dyshohen se në bashkëkryerje dhe më të akuzuarit Dalip Brahimin në krye, kishin marrë dhe kishin negociuar për vete shumën dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender dhe Jakup Blakqori.

PSRK të njëjtit po i ngarkon edhe me veprën penale “krim i organizuar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gërbeshi gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri me 20 dhjetor 2018, i kishte dhënë para me fajde të dëmtuarit Afrim Muçiqit, në shumë rreth 10,000.00 euro, ndërsa i dëmtuarit Muçiqi ishte detyruar që atij t’ia kthejë shumën prej 10-30% në emër të kamatës.

Gërbeshin prokuroria po e ngarkon me veprën penale “fajde”, nga neni 343 paragrafi  lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dalip Brahimi, më 6 shtator 2015 në Prishtinë, e kishte goditur në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Skender Blakqori, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, ku i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi që t’ia kërkojë lirimin e banesës, por ai e kishte kanosur rëndë të dëmtuarin me fjalët “Ta rujt Zoti djalin”.

Prokuroria të akuzuarin Dalip Brahimi, po e ngarkon edhe  me veprën penale “detyrim”, nga neni 340 par.1 të KPRK-së.

Të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu, gjatë periudhës kohore të pavërtetuar e deri me 20 dhjetor 2018, akuzohen se në lagjen “Dardania”, në Prishtinë,  në lokalin e tyre kishin organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetent shtetëror.

Prokuroria të akuzuarit Geci dhe Salihu po i ngarkon me veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenin 300, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i akuzuari Rrahim Brahimi, akuzohet se gjatë periudhës janar 2017 e deri me 20 dhjetor 2018, e kishte ndihmuar babanë e tij, të akuzuari Dalip Brahimin  që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte kontaktuar dhe ndërmjetësuar më të dëmtuarin Gentrit Beqiri, në lidhje me borxhin që babai i tij, Besim Beqiri ia kishte të akuzuarit Dalip Brahimi, duke i kërkuar që i njëjti t’i përmbahet obligimeve që kishte ndaj të babait të tij Dalip Brahimit.

PSRK, edhe të akuzuarin Rrahim Brahimi po e ngarkon me veprën penale “fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

I akuzuari Lulzim Berisha, gjatë periudhës kohore janar 2017, e deri më 20 dhjetor 2018, akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Gërbeshi që të njëjtit t’i sjellë dobi pasurore, duke kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin Afrim Muçiqi, duke i kërkuar që i njëjti ë përmbahet obligimeve që kishte ndaj të akuzuarit Gërbeshi.

Për këto veprime i akuzuari Berisha po ngarkohet me veprën penale “fajde”, nga neni 343 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.