Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar në 20 vjetorin e vrasjes, veprimtarin Ismet Rracin,
Abdixhiku ka shkruar se 20 vite më parë, dora vrastare e shoi jetën e njeriut i cili nuk u ndal asnjëherë në përpjekjen për lirinë e pavarësinë e vendit të tij.
“Nga ajo ditë, Klina dhe e tërë Kosova humbi veprimtarin, intelektualin dhe atdhetarin e respektuar, njëherësh thelemuesin e Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin. Ismet Rraci, një intelektual i rrallë, ishte besnik dhe guximtar, veprimtar i devotshëm i cili në kohëra të vështira dha shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Me natyrën e tij prej atdhetari të çmuar, u bë zë i kërkesës së qytetarëve të Klinës për një të ardhme më të ndritur të popullit dhe vendit të tij”.
“Ai u vra, tinëzisht pasi shënoi fitore në Klinë dhe u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën LDK-së, Klinës dhe as Kosovës. Ismet Rraci, përherë do të kujtohet nga Lidhja Demokratike dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës në vecanti të Klinës, për guximin intelektual e qytetar, trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund. Veprat e atdhetarit Ismet Rraci mbeten shëmbëlltyrë për të gjitha gjeneratat, se si duhet punuar për atdheun. Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Rracit”, ka shkruar ai.