Kreu i koalicionit “Bardhë e Zi”, Dritan Abazoviç, po tërheq vëmendjen e publikut si në rajon ashtu edhe në botë që pas zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi.
Kështu, në një bisedë me të përjavshmen gjermane “Spiegel”, Abazoviç zbuloi se ai është marrë në mbrojtje nga policia për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që pati pas zgjedhjeve.
Abazoviç ka folur edhe për tubimin e protestës para shtëpisë së tij në Ulqin, për të cilën u përgjigj:
“Nuk kam qenë atje atë natë. Kur e mora vesh, mendova se ishte shaka dhe thashë se njerëzit erdhën të më mbështesnin. E vërteta është, se kam patur shumë presion, unë aktualisht jam nën mbrojtjen e policisë. E di që ka shumë njerëz që mund të më bëjnë diçka, por nuk kam frikë. Kërcënimet janë çmimi që ne si politikanë paguajmë. Dhe në fakt është logjike për situatën aktuale, nëse merrni parasysh një gjë: pas këtij rezultati të zgjedhjeve parlamentare, ka shumë njerëz në vend që mund të humbasin shumë”, theksoi Abazoviç.