Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin “Kallxo Pernime” ka thënë se për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente nuk ka asnjë pengesë pasi që sipas saj Osmani ka marrë ‘legjitimitetin popullor’.
“300 mijë votat për presidenten e vendit janë detyrim për deputetët që atë ditë të qëndrojnë në sallë. Unë nuk dua t’i imponoj askujt nëse do të votojë pro ose kundër, ai është vullnet personal, por legjitimiteti popullor është detyrim i secilit deputet që të jetë i pranishëm”, tha ajo.
Tutje ministrja Gërvalla ka thënë se LDK-ja në ditën e zgjedhjes së presidentit duhet të dëshmojë vetëdije institucionale.
“Votuesi i LDK-së kërkon nga ajo që atë ditë përmes pranisë së saj në sallë të dëshmojë se e ka kuptuar mesazhin e votuesit dhe e ka kuptuar që zonja Osmani është personalitet me përkrahje shumë të madhe”, theksoi ministrja.
Sipas Donika Gërvallës me qëndrimin e saj në sallë LDK-ja ‘do t’i bënte nder vetvetes dhe votuesve të vet’.
Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për president.
Disa deputetë të LDK-së deri më tani kanë deklaruar publikisht se në parim janë për të votuar bashkëpartiaken e dikurshme Vjosa Osmanin për presidente.
Presidenti i vendit zgjidhet me 2/3 e votave.
Në rast se në dy rundet e para nuk arrihen 2/3 e votave, në rundin e tretë presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votave.
Mirëpo, për të ndodhur kjo, duhet që në secilin rund të votojnë të paktën 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në të kundërtën llogaritet se nuk ka pasur kuorum.
Dështimi për zgjedhjen e presidentit me automatizëm do të thotë se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.