Ministria e Shëndetësisë e Kosovës (MSh) ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë vaksina të mjaftueshme kundër COVID-19. Sipas këtij institucioni, mbi 400 mijë vaksina aktualisht janë në dispozicion dhe sipas nevojës do të kontraktohen të tjera.
“Në MSH është një komision që merret me vlerësimin e nevojave dhe negocimin e blerjes së tyre sipas nevojave”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Vaksinat e para, Kosova i kishte siguruar përmes donacioneve, ndërsa në maj 2021 pati nënshkruar kontratën e parë me kompanitë Pfizer/BioNTech për sigurimin e mbi një milion vaksinave.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit 2021. Ndërkaq, nga 9 dhjetori ka nisur të administrohet edhe doza e tretë dhe përforcuese e vaksinës.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.
Vaksina kundër koronavirusit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të këtë mjaftueshëm edhe për dozën e tretë edhe atë përforcuese.
Deri më datën 1 janar 2022, 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë, ndërkaq dozën përforcuese e kanë marrë 10,257 persona.
Doza përforcuese u jepet qytetarëve tre muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.
Kurse doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues.
Viti 2021 është përmbyllur me mbi 43 për qind të qytetarëve të Kosovës të vaksinuar me nga dy doza të vaksinës.