Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur akuzave të Rusisë, kinse Kosova po dërgon luftëtarë për të luftuar përkrah trupave ukrainase.
Gjatë një interviste për BBC Radio, Kurti mohoi se Kosovoa ka dërguar luftëtarë atje.
“Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar për të luftuar në Ukrainë. Ata po thonë lloj-lloj dezinformatash dhe pretendimesh të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot gënjeshtra, plot narrativa të rreme dhe lufta hibride kthehet në luftë. E kemi parë me Ukrainën.
Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj, dhe ne duhet të shqetësohemi shumë për të gjitha këto akuza të rreme, sepse janë shenja paralajmëruese për atë që do të ndodhë më pas“, tha ai.
Kryeministri Kurti tutje theksoi se Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini.
“Më lejoni t’ju rikujtoj se Presidenti Putin u bë Kryeministër i Federatës Ruse vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe gjithashtu disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, ai aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Pra, Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini“, tha Kurti.