Virusi i cili tashmë ka prekur Evropën, mund të përhapet edhe në Kosovë. Për shkak të gjendjes alarmante dhe numrit të madh të të prekurve, institucionet shëndetësore në vend janë bërë gati. Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera. E kjo është arsyeja pse IKShP’ja nga 31 dhjetori është në gjendje gatishmërie.
“Masat që duhet të ndërmerren fatmirësisht në këtë rast janë të ngjashme me masat që ndërmerren kundër gripit dhe gjitha sëmundjeve respiratore që përhapen me shpejtësi. Dhe në këtë kontekst edhe Kosova është e rrezikuar njësoj sikurse edhe shtetet e tjera. Për këtë arsye IKShP prej 31 dhjetorit tashmë është në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare të cilat përcjellin çdo rast”, është shprehur Ramadani.
E në shkaqe gatishmërie po qëndron edhe një staf mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari.
Tutje, IKShP pas situatës në Kinë ka dalë me rekomandime për t’i parandaluar rastet me virus në Kosovë.
“Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, thuhet në njoftimin e IKShP’së.
Virusi i cili filloi të përhapet nga Kina, ka prekur 1400 persona deri tash derisa 40 kanë vdekur.
Ani pse ka një distancë të madhe gjeografike, në Kosovë po kërkohet vigjilencë për rastet e mundshme të prekura me këtë virus.
Është instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë që rekomandon kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet përkatëse për ndonjë rast të mundshëm të këtij virusi në vend.
Mbikëqyrja përfshin edhe angazhimin e një ekipi mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka detyrë të raportojë në rast se shfaqen persona të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.
Disa nga masat e parandalimit përfshijnë shmangien e kontaktit të ngushtë me personat që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, larja e shpeshtë e duarve, e veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.