A duhet t’u ndalohet policëve mbajtja e armës jashtë orarit? Flet eksperti i sigurisë

Polici Lirim Haxholli dyshohet se ditë më parë u vra aksidentalisht nga një koleg i tij.

I ndjeri ka qenë duke festuar me 15 kolegë të tij në një lokal, jashtë detyrës zyrtare, kur salla operative është njoftuar për të shtëna me armë në Zllatar të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për zyrtarin policor F.M., i dyshuar për veprën penale të vrasjes. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Duke qenë se rasti është tejet i rëndë, pyetja që është ngritur më së shumti në opinion është nëse policët duhet të mbajnë armë edhe jashtë orarit të punës?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazetën Online “Reporteri.net”, se Policia e Kosovës e ka të rregulluar me ligji mbajtjen e armës edhe jashtë orarit, ku ndër të tjera thuhet se arma i shërben policit për sigurinë e tij dhe qytetarëve.

“Pra autorizimet që bartin policët janë të tilla që bartja e armës apo mos bartja e armës mund të cenojë kategoritë e sigurisë siç potencuam me lartë”, thotë Shala për Reporteri.net.

Por, eksperti Shala thotë se brenda policisë duhet të bëhen disa kontrolle që të mos ndodhin raste të tilla të rënda.

“Por në kuadër të Policisë duhet të rregullohet që: Njësia e kontrollit të brendshëm të bëjë kontrolle të gjendjes së armës me të cilën shërbehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe të bëhet kontrollimi shëndetësor periodik, duke u fokusuar në përdorim të substancave narkotike brenda pjestarëve të policisë”, thotë Shala për Reporteri.net.

Ja çfarë thotë Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2012 për përdorimin e armëve të zjarrit nga zyrtarët policorë:

Neni 3

Procedurat

1. Procedura gjatë hapjes së zjarrit duhet të bëhet në pajtim me nenin 27 të Ligjit për
Policinë si dhe udhëzimin për përdorimin e forcës.

2. Kur të përdoret arma e zjarrit kundër ndonjë personi tjetër, zyrtari policor duhet të gjuajë për ndalje të menjëhershme të kërcënimit. Është përgjegjësi e zyrtarit policor ta rivlerësojë nivelin e kërcënimit pas çdo shkrepje/gjuajtje nga ana e zyrtarit policor.

3. Zyrtarët policorë armën e zjarrit duhet ta përdorin në pajtueshmëri me Ligjin për Policinë
dhe me këtë Udhëzim Administrativ dhe në atë nivel që është i nevojshëm për të mposhtur
kërcënimin me dhunë drejtuar zyrtarit policor apo ndonjë qytetari tjetër. Çdo zyrtar policor
duhet në tërësi të njihet me këto procedura dhe akte normative dhe t’i zbatojë ato.

4. Çdo zyrtar policor duhet të trajnohet dhe certifikohet për përdorimin e armës së zjarrit
dhe përdorimin e domosdoshëm për të mposht rezistencën e të dyshuarit ndaj zyrtarit policor apo qytetarëve

5. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit vetëm kur është absolutisht e domosdoshme dhe legjitime, ose kur mjetet e tjera të përdorura detyruese nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i kryer detyrat policore.

6. Përdorimi i armës së zjarrit në operacione të veçanta duhet të autorizohet me urdhrin e
komandantit taktik.

Neni 4

Bartja dhe përdorimi i armës së zjarrit

1. Zyrtari policor është i autorizuar ta mbajë, ta bartë dhe ta përdorë armën e zjarrit dhe
municionin zyrtar për përmbushjen e objektivit ligjor të Policisë.

2. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta:
2.1. mbrojë jetën e vet ose jetën e të tjerëve nga sulmet e pashmangshme;
2.2. parandalojë kryerjen e pashmangshme

Neni 5

Mënyra e paralajmërimit

1. Zyrtari policor armën e zjarrit e përdorë me paralajmërim dhe pa paralajmërim.

2. Gjuajtjet në ajër me qëllim të paralajmërimit janë të ndaluara me të gjitha llojet e municionit.

Neni 6

Përdorimi i armës se zjarrit me paralajmërim

1. Para se ta përdorë armën e zjarrit, zyrtari policor jep vërejtje gojore, prezanton vetën si
zyrtar policor, duke urdhëruar personin që të ndalet, por edhe duke e paralajmëruar me
ndonjë shenjë apo me anë të ndriçimit (për shembull bateri dore ndriçuese, drita për bastisje e tjera) se do të shtie nëse ai/ajo nuk ndalet.

2. Paralajmërimi verbal apo vizual duhet të përsëritet aq herë sa të jetë e domosdoshme dhe për të siguruar të kuptuarit apo pajtueshmërinë e duhur.

Neni 7

Përdorimi i armëve të zjarrit pa paralajmërim

Si masë e veçantë në rrethana urgjente, zyrtari policor mund të mos e bëjë paralajmërimin në rast se një veprim i tillë e rrezikon zyrtarin policor ose personat e tjerë nga një rrezik serioz i pashmangshëm.

Neni 12

Zbrazja e Rastësishme e Armës së PK-së

1. Çdo zyrtar policor i cili rastësisht qet me armën e lëshuar nga PK-ja duhet ta bëjë një
raport me shkrim tek mbikëqyrësi i strukturës komanduese të PK-së, para se të përfundoj
ndërrimi.

2. Zyrtari policor duhet ta sigurojë armën dhe mbushjen, dhe t’ia dorëzojë mbikëqyrësit
përkatës të PK-së, pasi që ai të ketë ardhur në vendin e ngjarjes.

3. Mbikëqyrësi duhet ta plotësojë një raport detal, duke u shërbyer me formularin “Raporti
mbi Zbrazjen e Armës” ku përshkruan incidentin dhe e përcjell raportin nëpërmes
zinxhirit, për shqyrtim Komandantit të Stacionit të zyrtarit të involvuar.

4. Komandanti i stacionit duhet ta miratojë atë raport dhe duhet ta përcjellë më tutje tek
Drejtori Rajonal i Policisë për shqyrtim dhe për komentim. Drejtori Rajonal i Policisë, raportin e kompletuar, me të gjitha rekomandimet, aprovimet, dhe komentet duhet t’ia dorëzojë Drejtorit të Departamentit për Burime Njerëzore jo më vonë se shtatë (7) ditë pasi që të ketë ndodhur incidenti.

5. Nga zyra e Drejtorit të Departamentit për Burime Njerëzore i dërgohet një raport
Komisionit për Shqyrtimin e Rasteve të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarit policor të
PK-së.