Edhe pse gjatë ditës së djeshme nga taboret e dy subjekteve politike, Vetëvendosje dhe LDK u shprehën të gatshme për t’iu rikthyer bisedimeve, ende nuk ka asnjë informacion të konfirmuar se a do të ndodhë një takim mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për bisedimet në lidhje me marrëveshjen për krijimin e koalicionit qeverisë.
Të kontaktuar nga “FrontOnline”, zyrtarë të Vetëvendosjes dhe LDK-së ende nuk kanë informacione për një takim të mundshëm mes dy krerëve të partive të tyre.
Për “FrontOnline”, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka ka thënë se deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar.
“Deri më tani nuk asnjë informacion të konfirmuar në lidhje me takimin mes Kurtit dhe Mustafës”, ka thënë Manxhuka për “FrontOnline”.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova duke mos dashur të komentoj mundësin se a ka pranuar ftesë Isa Mustafa nga kreu i Vetëvendosjes, ai ka thënë se Mustafa është ai që merret me bisedime me subjektin fitues të zgjedhjeve.
“Isa Mustafa është ai qëe merr pjesë në bisedime me Vetëvendosjen”, ka thënë Rugova.
Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një deklarim për media ka paralajmëruar një takim mes Albin Kurtit e Isa Mustafës për sot.
“Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër (sot) dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, ka deklaruar ajo. /