Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), thënë se periudha e dytë e vitit shkollor do të fillojë më 10 janar, ashtu siç ishte planifikuar.
Zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla tha deri më tani nuk ka ndonjë vendim për shterjen e fillimit të periudhës së dytë.
“Sipas vendimit të fundit të MASHTI, periudha e dytë e këtij viti shkollor fillon më 10 janar 2022. Deri tani nuk ka vendim për ndryshim të datës së fillimit të periudhës së dytë të vitit shkollor 2021 -2022 kështu që të gjitha përgatitjet janë bërë që mësimi të fillojë siç ka qenë e paraparë. Përndryshe, të dielën më 9 janar MASHTI do të dalë me një komunikatë zyrtare”, tha Pylla.
Kujtojmë se në Kosovë deri më sot janë konfirmuar 17 raste me variantin e ri “Omicron”, por ka rritje të vazhdueshme të rasteve të reja me COVID-19.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë njoftuar për raste të tjera me variantin “Omicron”.
Ndërkohë, aktualisht në nivel vendi janë 997 raste aktive me COVID-19.
Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar 161 mijë e 965 raste pozitive me COVID-19. 2 mijë e 991 prej tyre kanë humbur betejën me këtë virus, ndërsa 158 mijë e 120 të tjerë janë shëruar./