Ditën e sotme do të dihet nëse mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë të komunave, do t’iu dalin rrogat për muajin shtator, të cilin e kaluan në grevë.
Për këtë çështje është pyetur sot edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Murati pas raportimit që kishte në Komisionin për Energji, është pyetur nga gazetarët nëse sot do të ekzekutohen pagat për grevistët.
“Do të veprojmë siç e parasheh ligji”, ka qenë përgjigja e vetme e Muratit rreth kësaj çështje. Ai ka refuzuar të deklarojë diçka më shumë.
Muajin e kaluar, pagën e muajit gusht, grevistët e morën disa ditë me vonesë, pasi që Ministria e Financave e drejtuar nga Hekuran Murati nuk kishte ekzekutuar pagat për mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë që ishin në grevë.
Kujtojmë se Anëtarësia e Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, sot pritet të japë mendimin e saj për pezullimin e mundshëm të grevës në arsim.
Greva në sektorin e arsimit ka filluar me 25 gusht, mësimdhënësit po kërkojnë që deri në miratimin e ligjit të pagave Qeveria e Kosovës, t’i ndajë nga 100 euro.
Në shkollat e vendit dje është votuar pro ose kundër pezullimit të grevës. Disa mësimdhënës janë shprehur pro ndërprerjet së grevës, e të tjerët kundër.