Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHKSUK-së Valbon Krasniqi ka thënë se trendi i numrit të madh të të infektuarve me COVID-19 tregon se qytetarët nuk po i respektojnë sa duhet masat.
“Çdo numër i madh i të infektuarve në në një vend flet për mosrespektim të mjaftueshëm të masave, sepse sikur të kishim respektim të mjaftueshëm të masave nga të gjithë ne si qytetarë sigurisht se nuk do të kishim numër kaq të madh të të infektuarve brenda ditës.
“Mos të harrojmë që për gati dy muaj kishim 200-250 raste në ditë dhe kemi këtë numër të vdekjeve. Çdo numër i madh i të infektuarve reflektohet me numër të madh të vdekjeve dhe krejt kjo është pasqyrim i mosrespektimit të masave nga qytetarët”.
“Ne infektologët e kemi thënë gjatë gjithë kohës për këta gjashtë muaj se nuk kemi masë më të mirë për të parandaluar infeksionin sesa rekomandimi i masave që kemi përsëritur. Nuk kemi bar efikas që do ta luftonte virusin në mënyrë efektive, ende nuk e kemi vaksinën në dispozicion dhe e vetmja armë në dorën e njerëzimit është respektimi i masave – kujdesi ndaj higjienës personale, distanca fizike dhe bartja e maskës”.
Krasniqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka ripërsëritur se qytetarët duhet të mësojnë të bashkëjetojnë me virusin, sepse ai do të jetë prezent edhe për një kohë të gjatë.
Ai është shprehur optimist se Ligji për Pandeminë do të jetë një ndihmë shumë e madhe në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID-19 në Kosovë.
“Unë besoj që është një nga veprimet e mira të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që kanë miratuar këtë ligj që në pjesën më të madhe i referohet masave të cilat obligohen qytetarët që t’i respektojnë. Unë pres që me zbatimin të rregullt dhe në masë më të madhe të këtij ligji të kemi edhe një menaxhim më të mirë të pandemisë, pasi për mua ligj i kontribuon drejtpërdrejtë menaxhimit më të mirë të pandemisë dhe kontrollit të situatës”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së ka sqaruar se kush nga punëtorët shëndetësorë do të përfitojnë 300 euro shtesë mujore, sipas vendimit të Qeverisë.
“Më duhet të them që moshyrja në fuqi e Ligjit të Pagave ka demoralizuar në masë të madhe punëtorët shëndetësorë dhe është një e padrejtë e madhe që i është bërë profesionistëve shëndetësorë pa fajin e tyre. Mosmiratimi i Ligjit të Pagave ka mundur të sjellë një situatë të tillë çfarë e kemi tani”.
“Ka qenë vendim i Qeverisë që për muajt korrik dhe gusht mjekët dhe infermierët që kanë punuar direkt në trajtimin e pacientëve me COVID-19 të përfitojnë këtë pagë shtesë, derisa ishte kërkesë dhe iniciativë e Ministrit të Shëndetësisë që nga shtatori të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe stafi mbështetës i shërbimeve shëndetësore të marrë pagë shtesë, me përshkallëzime. Në një mënyrë ose tjetër të gjithë punëtorët shëndetësorë i janë ekspozuar burimit të infeksionit”.
Krasniqi ka sqaruar se lista që është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë është kthyer prapa me arsyetimin se nuk është në përputhje me vendimin e qeverisë dhe e njëjta është duke u rihartuar.
“Duke u bazuar në vendimin për muajt korrik dhe gusht kemi kërkuar nga drejtorët e njësive përbërëse të SHSKUK-së që të hartojnë listat për përfitimin e këtyre 300 eurove që janë nënshkruar nga zyrtari kryesor financiar i SHSKUK-së, derisa unë si drejtor nuk kam të drejtë të heqë ose shtojë persona. Këtë listë e kemi dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë që na është kthyer prapa me arsyetimin se nuk është në përputhshmëri të plotë me vendimin e qeverisë”.
“Në këtë proces drejtorët e të gjitha njësive kanë përgjegjësinë hierarkike dhe menaxheriale, sepse të gjithë drejtorët e dinë kë e kanë pasë në punë dhe sa kanë qenë të angazhuar në trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Ai nuk ka treguar nëse në listën e rihartuar për shtesën mujore prej 300 eurosh do të përfshihen stafi mbështetës ose jo.
“Ne i kemi kthyer prapa te drejtorët e të gjitha njësive. Na është thënë se listat duhet të jenë në përputhje me vendimin e qeverisë që ka qenë për mjekë dhe infermierë, ndërkohë që drejtorët duke parë angazhimin e stafit mbështetës të atyre që kanë bartur bocat e oksigjenit, të atyre që kanë pastruar dhomat, të atyre që kanë shërbyer ushqimin dhe gjithë stafit mbështetës e kanë parë të arsyeshme të jenë edhe ata prezent në lista”.
“Ne sot kishim takim me Ministrin e Shëndetësisë dhe nënkryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë ku jemi dakorduar që bashkërisht do të angazhohemi që ta tejkalojmë këtë situatë. Pres dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje për të gjithë”.